Hamdi Nuhiu | 2 Aug 00:24 2008
Picon

Traktati i Hudejbijes

Traktati i Hudejbijes
Shkruan: Abdullah KLINAKU
http://www.alb-drejtesia.com/al/news.php?readmore=155


Njohja e jetës se Muhammedit a.s. dhe veprimeve të tij që i bëri gjatë 63 vjetëve, e veçanërisht gjatë 23 vjetëve të pejgamberisë, janë të domosdoshme për arritjen e unjësimit të muslimanëve dhe garantimin e paqes botërore. Njohja dhe kuptimi i drejtë i veprimeve të Pejgamberit a.s. muslimanëve do tu ndihmoj ta mbrojnë fenë e tyre ashtu si duhet dhe me çfarë mekanizmash duhet. Ne jemi krenarë me fenë tonë dhe Pejgamberin tonë e jam i bindur se sikur ne, muslimanët, tua prezantonim drejtë dhe mirë jetën dhe mesazhin e Muhammedit a.s. i tërë njerëzimi do të ishte krenar me të, përveç kryeneçëve.
Një segment i rëndësishëm i jetës së Muhammedit a.s. dëshmon se ka qenë vazhdimisht në favor të paqes dhe respektit ndërnjerëzor, dhe kjo e ka përshkruar tërë jetën e tij dhe veprimet e veçanta që i ka bërë gjatë gjithë jetës së tij. Një ndër këto veprime është edhe marrëveshja - Traktati i Hudejbijes.

Fillimisht të shohim këtë Traktat nga aspekti teorik i së drejtës ndërkombëtare moderne. Rëndësia e këtij Traktati nga ky aspekt është se e bën më të pasur historikun e së drejtës ndërkombëtare dhe ky Traktat duhet të përmendet në librat dhe punimet shkencore të kësaj lëmie. Marrëveshja e paqes e Hudejbijes (es-sulhu) shikuar nga aspekti teorik i së drejtës ndërkombëtare duhet të quhet traktat e jo marrëveshje. Marrëveshja zakonisht është pajtim i vullnetit për lidhjen e kontratës (kur kemi të bëjmë mes personave fizik apo juridikë por që nuk paraqesin subjekt ndërkombëtarë) ose traktatit (kur kemi të bëjmë mes shteteve dhe organizatave ndërkombëtare që kanë statusin e subjektit ndërkombëtar). Ndërkaq me traktat ndërkombëtarë konsiderohet çdo pajtim i vullnetit midis shteteve me qëllim të krijimit, ndryshimit ose ndërprerjes së ndonjë raporti juridik. Traktatet zakonisht janë dokumente që aludojnë në çështje të rëndësishme si p.sh. traktatet e paqes ( Zejnullah Gruda, E Drejta Ndërkombëtare Publike, fq. 249, 2002 , Prishtinë)

Traktati i Hudejibijes është lidh mes dy përfaqësuesve të dy grupeve sociale të ndryshme që kanë përfaqësuar dy qytete-shtete. Njëri Medina në krye me Muhammedin a.s. si qytet-shtet i përbërë nga shumica dërrmuese e banorëve musliman. Medina kishte rregullimin e vetë juridiko-politik dhe territorial. Mekka, nga ana tjetër qytet-shtet që kishte banorët e saj, shumica dërrmuese (me përjashtime individuale) ishin politeistë, dhe kishte një rregullim juridiko-politik tejet primitiv që ndërtohej në të drejtën zakonore.

Në këtë traktat përfaqësues i Mekkës ishte Suhejl b. Amri. Prandaj kjo marrëveshje në çdo përkthim në gjuhën shqipe dhe studim duhet të quhet Traktati i Paqes i Hudejbijes. Përfundimisht në lidhje me këtë mund të themi se marrëveshja e Hudejbijes është "Traktat ndërkombëtar" i lidhur mes dy shteteve, njëri i përfaqësuar nga kryetari, e që ishte Medina në krye me Muhammedin a.s. dhe tjetri që ishte Mekka i përfaqësuar nga i autorizuari i mekkasve, Suhejl b. Amri, me qëllim të arritjes së paqes mes këtyre dy vendeve në afat prej 10 vjetësh.

Rrethanat historike

Traktati i paqes i Hudejbijes ndodhi në fund të vitit të 6 Hixhri (es-siretun-nebeujje, Li-ibni Hisham). Hudejbije është emri i një vendi 50-60 km larg Mekkës. Më parë kishte qenë emri i një oaze që ndodhej në atë vend, pastaj këtë emër e kishte marrë edhe fshati afër. Deri te Hudejbija erdhi si shkak i umres. Derisa Pejgamberi a.s. ishte në Medinë kishte parë ëndërr se si e kishte marrë çelësin e Qabesë dhe kishte bërë tavafin dhe umren. Të nesërmen Pejgamberi a.s. i lajmëroj shokët e tij për ëndrrën dhe filluan përgatitjet për nisje. Pejgamberi a.s. nga Medina për në Mekë u nis me 1400-1500 persona të paarmatosur, vetëm me shpata në këllëf. (Për rrethanat dhe kronologjinë historike të kësaj ngjarjeje shih më gjerësisht librat e Sires-jetëshkrimit të Muhammedit a.s.)

Marrëveshja për lidhjen e Traktatit dhe përmbajtja e tij

Muslimanët e bindur për ta kryer Umren ishin të vendosur ta realizojnë atë pa marrë parasysh rreziqet dhe nuk përjashtonin as luftën. Nga ana tjetër politeistët kurejshit ishin të vendosur që të mos lejojnë hyrjen e muslimanëve në Mekë. Kjo vendosmëri e dyanshme shpinte në një lufte të tmerrshme mes tyre. Duke tentuar ti iket kësaj mosmarrëveshjeje Pejgamberi a.s. dhe kurejshitët shkëmbenin të deleguarit e tyre për arritjen e një marrëveshjeje të mundshme. Pas shkëmbimit të disa të deleguarve nga Mekka, i arrin rradha edhe Suhejl b. Amrit. Pejgamberi a.s. posa e pa Suhejl b. Amrin tha: "Ky do të na e lehtësoj situatën, kurejshitët me siguri dëshirojnë armëpushim pasi që e kanë dërguar këtë".

Pas një diskutimi të gjatë mes Muhammedit s.a.v.s dhe Suhejl b. Amrit arritën deri te marrëveshja për nënshkrimin e një traktati të paqes. Pejgamberi s.a.v.s e urdhëroi Aliun r.a të shkruaj atë që i dikton. Pejgamberi s.a.v.s tha Bismil-lahir-rrahmanir-rrahim, kurse Suhejli ndërhyri e tha kush është ky Er-rahman ne nuk e njohim këtë Zot, prandaj shkruaje Bismika-Allahumme. Pejgamberi s.a.v.s e pranoi këtë kusht dhe atëherë urdhëroi Aliun r.a të veprojë ashtu.

Vazhdoi Pejgamberi s.a.v.s : Ky është traktat mes Muhammedit s.a.s të dërguarit të Allahut dhe Suhejl B. Amrit..., kurse Suhejli ndërhyri prapë dhe tha: "Ndalu, sikur të kishim pranuar për të dërguar të Allahut ne nuk do ta ndalonim hyrjen e juaj në Qabe dhe as që do të luftonim kundër teje, por shkruaj kështu: Ky është Traktat mes Muhammedit, të birit të Abdullahut dhe..."! Pejgamberi s.a.v.s tha megjithatë unë jam pejgamber e i dërguar i Allahut edhe pse ju nuk më besoni. Pejgamberi s.a.v.s urdhëroi Aliun r.a që të veprojë ashtu siq kërkoi Suhejli. Sigurisht që ata që luftuan me pejgamberin s.a.v.s, të cilët e donin dhe e besonin si të dërguar të Allahut nuk dëshironin të vepronin asgjë që do ta cënonte nderin dhe imazhin e Muhammedit s.a.v.s. I këtillë ishte edhe Aliu r.a i cili hezitonte dhe nuk mundi ta fshinte fjalën "i dërguar i Allahut". Kur e pa pejgamberi s.a.s vendosmërinë e tij atëherë e fshiu vet.

Ky Traktat në formën e tij përfundimtare do të dukej kështu:

Në emrin Tënd o Allah

Ky Traktat i paqes (es-sulhu) është marrëveshje mes Muhammedit, të birit të Abdullahut dhe Suhejl b. Amrit ( të cilët pajtohen):

neni 1

Muhammedi të kthehet në Medinë dhe në këtë vit mos të hyjë në Mekkë, ndërsa në vitin e ardhshëm ta vizitojë Qaben në afat prej tre ditësh duke mos pasur me vete armë, përveç shpatave në këllëf. Gjatë kësaj kohe kurejshitët nuk guxojnë t'u bëjnë kurrfarë pengesash.

neni 2

Ndërprerja e armiqësive mes tyre në afat prej 10 vitesh. Gjatë kësaj periudhe sa zgjatë ky armëpushim njerëzit do të qarkullojnë lirisht dhe do të mbrojnë njëri-tjetërin

neni 3

Kush dëshiron ti bashkohet Muhammedit, këtë mund ta bëjë me kusht që ta respektojë këtë traktat, e kush dëshiron ti bashkangjitet kurejshitëve le të veproj ashtu. Çdo fis i tillë konsiderohet pjesë e atij populli. Çdo armiqësi ndaj aleatëve do të konsiderohet si armiqësi ndaj palës që i takon.

neni 4

Ata që ikin te Muhammedi nga fisi kurejsh pa lejen e zotëriut të tij, ata do ti kthejnë në Mekkë. Kurse ata që vijnë nga muslimanët te kurejshitet përkatësisht nëse dikush prej tyre ik te këta, të mos u kthehen muslimanëve.


Efekte psikologjike të këtij traktati te muslimanët


Umeri r.a është shembulli më i mirë se çfarë efekti psikologjik kishte ky traktat te shumica e muslimanëve. Kur dëgjoj Umeri r.a. për këto kushte nuk mundi ta përmbajë veten dhe shkoi te pejgamberi s.a.v.s që ta sheh se çfarë ngjau me këtë traktat. I tha: "O pejgamber i Allahut a është e vërteta në anën tonë"? Pejgamberi s.a.v.s i tha : "Po". Umeri r.a: "A do të hyjnë të vrarët tanë në xhennet, e të vrarët e tyre në xhehenem"? Pejgamberi s.a.v.s i tha: "Po do të hyjnë". Umeri r.a atëherë tha e përse e turpërojmë fenë tonë e të kthehemi , e nuk lamë që Allahu të gjykoj mes nesh dhe atyre?

Pejgamberi s.a.s i tha o biri i Hatabit unë jam pejgamber i Allahut dhe nuk kam dashur të jem i padëgjueshëm ndaj Tij. Ai do të më ndihmojë dhe kurrë nuk do të më braktisë. Umeri r.a i tha: "Po ti a nuk na ke thënë se do ta bëjmë umren"? Pejgamberi s.a.s i tha po u kam thënë por jo në këtë vit.
U largua Umeri r.a për te Ebu Bekri i pikëlluar për këtë armëpushim dhe gjendja e tij shpirtërore që vlonte pët të hyrë në shtëpinë e Allahut nuk u qetësua deri sa zbriti suretu-l-fet'h dhe u bind se kjo është fitore. Thotë Umeri r.a: "Kam pas dëshirë që të lahem për këtë, andaj edhe sot jap sadaka, fali namaz nafile, agjëroj dhe liroj robër vetëm me qëllim që ta lehtësoi ndërgjegjjen time për shkak të atyre fjalëve që i pata thënë. E kam lutur Allahun që kjo punë të merr fund mirë".
Sahabët e pejgamberit s.a.s nuk u qetësuan deri sa zbriti sureja Fet'h e cila fillon: "Ne të dhamë ty fitoren e qartë..."

Efektet juridiko-politike të këtij traktati

Efektet juridike të këtij traktai i nxjerrim nga 4 nenet e shënuara, këto efekte ishin:


1. Muslimanët e kishin për detyrë të kthehen pa e kryer Umren në këtë vit.
2. Muslimanët kishin të drejtë të vinin dhe ta vizitojnë Qaben vitin tjetër në afat prej 3 ditësh dhe të paarmatosur.
3. Kurejshët e kishin për detyrë që vizitën e Qabesë, nga muslimanët vitin e ardhshëm ta durojnë dhe të përmbahen nga çdo provokim.
4. Kjo marrëdhënie e re juridike (paqja dhe armëpushimi) që buron nga ky traktat do të zgjasë në kohë prej 10 vitesh.
5. Qarkullimi i lirë i njerëzve nëpër hapësirat e tyre dhe mbrojtjen e njëri tjetërit .
6. E drejta e fiseve të tjera për t'iu bashkuar Muhammedit s.a.s dhe e drejta e tyre për të ju bashkuar Kurejshëve, me obligim që ta respektojnë Traktatin.
7. Armiku i aleatit është edhe armik i palës që i takon ai aleat.
8. Muhammedi s.a.s detyrohet që muslimanët nga Kurejshët që vinë në Medinë ti kthejë prapë në Mekkë.
Këto ishin të drejtat dhe detyrimet që buruan për palët nga ky traktat.


Ndërkaq nga efektet politike mund të veçojmë:
1. Suksesi i madh në këtë Traktat ishte se Kurejshët e kishin pranuar si palë Muhammedin s.a.s ( në fushën e së drejtës ndërkombëtare kjo njihet si njohje e shtetit të ri në mënyrë të heshtur).
2. Kurejshët e kishin kuptuar se ndalimi i Muhammedit s.a.s për të hyrë në Mekkë ishte i pamundur prandaj kërkuan vetëm që të shtyhet për një vit ( gjë që mos të dalin para fiseve të tjera arabe si humbës fatal).
3. Kurejshëve më nuk u interesonte se kush dhe sa do të hyjnë nën flamurin e Muhammedit s.a.s (neni 3) por u interesonte vetëm ekzistenca e tyre si palë me "rol në fiset arabe".
Këto 3 pika bëjnë të mësojmë për falimentimin e pashmangshëm të Kurejshitëve dhe suksesin e pandalshëm të Muhammedit s.a.s.

Efektet e Traktatit në fushën e Daves islame

Përfitimi i daves islame gjatë kësaj kohe të armëpushimit me Kurejshët ndikoi dhe shihet në dy drejtime.
1. Në pranimin e islamit nga figura të fuqishme Mekkase. Gjatë kësaj periudhe të paqes, ftohja e gjaqeve dhe dhënia përparësi racionalizmit para emocionalitetit ndikoi fuqishëm në pranimin e islamit nga njerëzit. Ndër njerëzit e mëdhenjë që pranuan islamin ishin: Halid b. Uelid r.a, Amr b. Asi r.a dhe Uthamn b. Talha r.a. Kur i pa pejgamberi s.a.s se këta njerëz pranuan islamin tha: "Na dhurojë Mekka copë nga mëlqia e saj".
2. Shtrirja dhe prezentimi i islamit fiseve arabe, mbretërve dhe perandorëve të kohës.
Gjatë kësaj kohe pejgamberi s.a.s aktivizoi ambasadorët e vet dhe diplomacinë në shumë vende arabe, perse e bizantine. Këta ambasadorë i dërgonte për t'ua përcjell amanetin të gjithë njerëzimit me të cilin e kishte ngarkuar Allahu s.t.. Para dërgimit të tyre pejgamberi s.a.s përgaditi edhe vulën e tij në të cilën shkruante Allah, Rasul,Muhammed, por që shkruhej dhe lexohej nga poshtë lartë.( d.m.th fillonte me Muhammed s.a.s dhe përfundote me Allah por lexohej duke filluar nga Allah pastaj Rasul dhe Muhammed për respekt ndaj Allahut s.t)
Mesazhi islam u prezantua te këta sundimtarë përmes këtyre të deleguarve-ambasadorëve:
1. Negusit- Mbretit të Abisinisë përmes Amr b. Umejje ed-Damerin r.a. Ky mbret e pranoi islamin para Xhafer b. Ebi Talibit (Pejgamberi s.a.s u informua nga Allahu s.t për vdekjen e Nagusit dhe ia fali namazin e Xhenazes në mungesë).
2. Mesazhi iu dërgua Mukaukisit-Mbretit të egjiptit përmes Hatib b. Beltan. Ky sundimtar nuk e pranoi islamin por shprehi admirim dhe respekt të madh ndaj Pejgamberit s.a.s duke i dërguar dhurata, dy robëresha dhe një mushk.
3. Mesazhi dërguar Kisras -perandorit të Persisë përmes Abdullah b. Hudhafen, i cili ia dorëzoi mesazhin magnatit të Bahrejnit për ta përcjell të ky perandor. Ky perandor nuk e pranoi islamin. Përkundrazi u soll shumë keq dhe e grisi shkresën e Muhammedit s.a.s. Kur dëgjoi pejgamberi s.a.s për këtë tha: "U gristë pushteti i tij".
Dhe vërtet ndodhi pas pak kohe në nje natë pallati i tij i zhyt në trazira dhe i biri i tij Shirevahi e vrau dhe ia rrëmbeu pushtetin.
4. Mesazhi dërguar Cezarit, Kajser-perandorit të Bizantit përmes Dihjetu b. Hulejfe. Ky perandor ishte i bindur në profetësinë e Muhammedit s.a.s, por nuk e pranoi islamin. Ndërkaq Muhammedit s.a.s i dërgoi shumë dhurata.
5. Mesazhi dërguar el-Mundhir b.Savit, dërguar përmes El-ala b. El-Hudramijjut. Ky ishte sundimtar i Bahrejnit i cili e pranoi islamin si dhe dhumica e popullit të tij.
6. Mesazhi dërguar Haudhete b. Aliut-sunduesit të Jemenit dërguar përmes Sulejh b. Amri el-Amirijj. Ky sundimtar i kishte thënë Muhammedit s.a.s " Sa e mirë ajo në çka më thërret ti. Arabët më ndjekin nga ky vendi im, e ti ma mundëso të kem edhe unë hise së bashku me ty e unë do të pasojë ty". Ky sundimtar i dërgoi Muhammedit s.a.s shumë dhurata.
7. Mesazhi dërguar Harith Ebi Shemer el-Gassanit-sunduesit të Shamit përmes Suxha b. Vehb. Ky sundimtar nuk e pranoi islamin.
8. Mesazhi dërguar sunduesit të Ammanit përmes Amr b. Asit. Ky e pranoi islamin bashkë me vëllaun e tij.
Këto ishin komunikimet diplomatike të Muhammedit s.a.s me perandorët dhe mbretërit e kohës duke përcjell mesazhin e Allahut s.t. Disa prej tyre e pranuan e disa jo, por ishte i rëndësishëm fakti i prezantimit të islamit në botë.
Është me rëndësi fakti se pejgamberi s.a.s gjatë armëpushimit me Kurejsh zhvilloi disa luftëra me fise të tjera që rrezikonin dhe kërcënonin shtetin islam.

Zgjedhja e problemit të besimtareve mekkase

Në nenin 4 siç thamë parashihej kthimi i besimtarëve muslimanë që vijnë nga Mekka te Muhammedi s.a.s për në Mekkë prapë. Pas lidhjes së marrëveshjes erdhën disa gra që kishin pranuar islamin e pas tyre edhe zotëritë e tyre për ti kërkuar nga pejgamberi s.a.s që ti kthejnë prapë. Kjo kërkesë e tyre u refuzua nga pejgamberi s.a.s duke thënë se këtu nuk nënkuptohen gratë sepse ato as që janë përmend.

Zgjedhja e problemit të burrave besimtarë nga Mekka

Kur arriti pejgamberi s.a.s në Medinë pas tij arriti një i arratisur nga Mekka që quhej Ebu Besir nga fisi Thekafe. Pasi që arriti në Medinë pas tij erdhën dy burra, ku njëri ishte zotëriu i tij për ta kthyer Ebu Besirin në Mekkë. Ky musliman i nderuar Ebu Besiri nuk mund ta paramendonte kthimin në torturat që i shkaktonin mekkasit. Iu ankohej muslimanëve dhe pejgamberit s.a.s se a prapë po më ktheni në dorë të tyre? Pejgamberi s.a.s, i dashuri i ebu Besirit dhe i dashuri ynë s.a.s nuk e then besën e dhënë por e di qartë se Allahu nuk do ta zhgënjejë as atë e as besimtarët që janë më të.. Muhammedi s.a.s i tha o Ebu Besir kemi lidhur marrëveshje me ta e ajo na obligon që të të dorëzojmë te ta. Por Allahu do të ju bëjë zgjidhje të shpejtë.
Ebu Besiri duke u kthyer për në Mekkë gjatë një pushimi e mashtron përcjellësin e zotëriut të vet, ia merr shpatën dhe e vret. Përsëri ik për në Medinë dhe pas tij vjen zotëriu i tij. Kur e sheh pejgamberi s.a.s zotëriun e Ebu Besirit thotë ky paska parë fantazmën- paska frikë të madhe. Ebu Besiri i thotë o pejgamber i Allahut e mbajte besën tënde më dorëzove, por Allahu më shpëtoj prej tyre. Ebu Besiri e pa qartë se pejgamberi s.a.s nuk e then besën, prandaj iku për në fshatin Sejfu-l bahr. Atje iu bashku shumë shpejtë edhe Xhendel b. Suhejli dhe shumë të tjerë nga Mekka që pranuan islamin. Në këtë vend u bë grupi i muhaxhirëve të Ebu Besirit dhe meqenëse ishte pikë udhëtimi për tregëtinë e kurejshëve këta vazhdimisht rrezikonin karavanet e tyre. Pas një kohe kurejshët ishin ata që shkuan dhe e lutën pejgamberin s.a.s që të gjithë muslimanët nga Mekka që pranojnë islamin të lejohen në Medinë.
Me lejen e Allahu s.t përfundoi edhe kjo pikë e këtij traktati në të mirë të muslimanëve, e si mos të përfundonte në të mirë të tyre kur pas Muhammedit s.a.s ishte Allahu s.t

Thyerja e Traktatit nga Kurejshitët

Pejgamberi i Allahut s.a.s dhe ata që janë më të janë të drejtë, të matur dhe kurrë nuk e thejnë besën, nuk mashtrojnë e as nuk gënjejnë. Këtë marrëveshje muslimanët e prezantuan për hajër dhe dobi të përgjithshmë. E shfrytëzuan për ta përhapur paqen edhe në fise e rajone tjera. Muhammedi s.a.s e respektoi dhe e ruajti këtë Traktat deri në momentin kur këtë e thyen tradhtarët e rradhëve të kurejshëve.
Ky Traktat siç e kemi parë nenin 3 parasheh mundësine e hyrjes se fiseve të ndryshme në rradhët e palëve që lidhën këtë Traktat. Fisi Benu Bekër hyri me Kurejshitët si dhe fisi Huza hyri në rradhët e Muhammedit s.a.s.
Gjatë një nate përderisa një grup meshkujsh nga fisi Huza qëndronte te burimi El-Vetir në shpatin e Mekkës një grup nga fisi Benu Bekër i sulmuan ata duke i vrarë dhe duke qenë të ndihmuar nga Kurejshët me armë dhe njerëz. Kjo ndodhi në vitin e 8 hixhrijj në muajin Shaban. Këtu ishte fundi i këtij Traktati që muslimanët e Muhammedit s.a.s kanë pas shumë dobi duke përcjell islamin, duke kryer umren, duke u shtuar dhe organizuar për ta arritë fitoren e Madhe, çlirimin e Mekkës.


Falenderimi i takon Allahut
Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Muhammedin s.a.s mbi familjen e tij dhe pasuesit e tij deri në ditën e gjykimit.


 
__._,_.___

Your email settings: Individual Email|Traditional
Change settings via the Web (Yahoo! ID required)
Change settings via email: Switch delivery to Daily Digest | Switch to Fully Featured
Visit Your Group | Yahoo! Groups Terms of Use | Unsubscribe

__,_._,___

Gmane