ajni sinani | 1 Dec 23:38 2008
Picon

Kurā€™ani fisnik margaritari i librave hyjnorĆ«

Kur’ani fisnik margaritari i librave hyjnorë

 

“Ne me madhërinë Tonë e shpallëm Ku’anin dhe Ne gjithsesi jemi mbrojtës të tij.” (El Hixhr: 9)

 

 

Ajni Sinani

Kur’ani është Fjalë e Allahut (kelam Allah) dhe si i tillë u mbart tek Muhammedi a.s përmes kryengjëllit Xhibril. Ai është përshkrim i tekstit që është skalitur në Pllakën Qiellore (Tabula Secreta). Në tërësi është fjalë e Zotit dhe nuk është tregim i dorës së dytë dhe as fryt i mendjes njerëzore.

 

Etimologjikisht fjala Kur’an  vjen nga folja arabe “kara’a” që do të thotë “me recitue”, “me lexue me zë”. Ai është zbritur në gjuhën arabe që është gjuha më e pasur e botës dhe vlerësohet si një mrekulli e pakrahasueshme.   

 

Kur’ani me përsosshmërinë e tij, është ruajtur në formën dhe në gjuhën e vet fillestare, fjalë për fjalë dhe germë për germë. Është i përkryer në çdo shkronjë të tij.

 

Shpallja e parë ka filluar me pesë ajete, nga surja El Alak, që i janë shpallur Muhammedit a.s. në kodrën e Dritës në moshën 40 vjeçare.

 

Përmbajtja e librit të Zotit është mahnitëse. Në të s’ka kurrfarë kundërthënie apo gabimi, çfarëdo qoftë ai. Ai është libri më autentik i njësisë së Zotit.

Askush tjetër, pos Zotit të Gjithëdijshëm që ngërthen me dijen e Tij çka është në tokë dhe në qiell, nuk mund të jetë autor i Kur’anit.

 

Tematikat që e përshkojnë Librin e Zotit janë Njëshmëria e Krijuesit (tevhid), përkujtimi (tedhkir), dispozitat (ahkam) dhe besimi në jetën e përtejme.

 

Ai lexohet me zë dhe e mrekullon veshin e lexuesit dhe të dëgjuesit njëkohësisht. Leximi i tij ndikon në mënyrë magjepse edhe tek ata që  nuk i kuptojnë fjalët e tij në gjuhën arabe. Në vetë kumbimin dhe jehonën e fjalëve të Zotit qëndron fuqia Hyjnore që prek thellësinë e shpirtit.

 

Stili i tij i pasur është i rreptë, madhështor dhe i mrekullueshëm, dhe s’mund të krahasohet me të asnjë stil njerëzor. Ai është i jashtëzakonshëm dhe sipëror, përplot bukuri të mahnitshme.

 

Kur’ani përmban një elokuencë të mrekullueshme dhe të pashembullt, që është e paimitueshme dhe e paarritshme edhe nga poetët më të mëdhenj. Ai nuk është as prozë e as poezi e rëndomtë. Çdo lidhje, metaforë ose përsosmëri gjuhësore e tij bart në vete të vërtetën dhe mrekulli të panumërta.

 

Arabët që ishin mjeshtër në prozë dhe poezi, qenë të detyruar të dorëzohen para stilit të shkëlqyeshëm e të pastër të tij. Pas çdo fjale dhe germe të Ku’ranit ndihet prezenca e Provanisë Hyjnore. Ato shprehin falënderim, madhërim dhe adhurim për Krijuesin e gjithësisë.

 

Ndikimi i fuqishëm i gjuhës magjepse të Kur’anit, me muzikalitetin e saj përmes rrokjeve të përsosura dhe rimës së shkëlqyer, ka bërë që të galdohen dhe ngazëllehen zemrat e entuziazmuara të atij populli orator arab që ishte i dashuruar me poezinë dhe oratorinë.

 

Çdo sure e Kur’anit është origjinale, me të shprehurit e saj specifik, dhe dallon për nga ritmi dhe stili i saj karakteristik. Çdonjëra prej tyre ka metrikë të veçantë dhe është e zbukuruar me figura stilistike që përkojnë me kompozimin unikal dhe përmbajtjen shumë–kuptimore dhe shumë–dimensionale të saj.

 

Magjepsja që del çuditërisht nga forca e gjuhës dhe fuqisë poetike të tekstit të tij është mahnitëse dhe fascionuese. Vargjet kur’anore përmes bukurive dhe xhevahireve të shumta e bëjnë Kur’anin një perlë brilante.

 

Te disa sure, të gjithë ajetet përfundojnë me rimë të njëjtë, te disa, shumica e tyre, kurse te disa të tjera përfundojnë në përputhje me tërësinë përmbajtësore që ka surja. Ato, me muzikalitetin dhe rimën e shkëlqyer, me ëmbëlsinë dhe bukurinë magjepse, lënë mbresa të papërshkrueshme në zemrën e besimtarit.

 

Ajetet me ritëm kumbues të jashtëzakonshëm e me rimë melodike krijojnë efekte të fuqishme emocionale, përmes zanoreve dhe bashkëtingëlloreve të llojllojshme. Mrekullia e vargjeve kur’anore, mund të konsiderohet e përhershme, sepse ndikimi i tyre është i përhershëm dhe aktualiteti i tyre i vazhdueshëm.

 

Edhe pse me stil diametral të ndryshëm, vargjet kur’anore arrijnë majat e bukurisë së shprehjes dhe kulmin e fuqisë së shkoqitjes. Ato përmes lidhjes me njëra tjetrën e pasurojnë tematikën e sures dhe janë në harmoni me njëra tjetrën. Çdo shkronjë dhe pjesëz është në funksion të kuptimit dhe stilistikës së ajetit kur’anor. Prandaj çfarëdo zëvendësimi apo ndërrimi i ndonjë shkronje apo pjesëze do të rezultonte me humbjen e kuptimit dhe stilit që synohet.

 

Kur’ani është një univers i pafund dhe një burim frymëzimi e fisnikërimi i pashtershëm për mendjen dhe shpirtin e njeriut. I Lartësuari çdo gjë në Librin e Tij e ka thënë në mënyrë impozante, dhe me fjalë të mrekullueshme.

 

Kur’ani vazhdimisht të impresionon me leximin e mëtejshëm të tij. Gjatë rileximit jo vetëm që nuk na sjell mërzi, por madje dashuria ndaj tij shtohet dhe gjithnjë zbulojmë kuptime që në leximin e mëparshëm nuk i kemi vërejtur fare.

 

Ai është libri i vetëm në botë që mësohet nga qindra e mijëra njerëz përmendësh. Është më i lexueshmi dhe ka ndikimin më të madh në jetën e besimtarëve.

 

Në origjinalitetin e tij në arabisht, është unikal dhe i pakrahasueshëm. Me daljen në botën fenomenale, në hapësirë e kohë ai ka mbetur i pandryshuar, që nga shpallja e tij deri në ditët tona. Atij nuk i është hequr, e as nuk i është shtuar qoftë edhe një shkronjë e vetme, që nga koha kur i është shpallur të Dërguarit të Zotit.

 

Ai është libri i vetëm nga librat e Zotit që është ruajtur me kujdes të madh dhe amanet të besueshëm, nga çfarëdo lloj shtrembërimi apo devijimi.

 

Stili i Kur’anit është krejt ndryshe nga stilet e tjera. Gjuha dhe shkrimi i tij janë të ndryshme nga gjuha dhe shkrimi ynë. Sapo përkthehet nuk quhet më Kur’an, por përkthim i kuptimit të tij, ngase çdo përkthim është riprodhim njerëzor dhe jo fjala fillestare e Zotit.

 

Retorika e mrekullueshme e Kur’anit në gjuhën arabe, ritmet e ndryshme të ndërlikuara e madhështore shquhen aq shumë sa që asnjë përkthim në asnjë gjuhë tjetër nuk mund t’i përcjellë ato dhe ajo që është përkthyer tingëllon në mënyrë të zbehtë kundrejt madhështisë së origjinalit. Shumë finesa dhe tinguj, që e përcjellin çdo fjalë të tij, e bëjnë shumë të vështirë çdo përkthim nga gjuha arabe.

 

Shumëkuptueshmëria dhe pafundësia e Librit të Allahut nuk pranon kufizim. I Lartësuari thotë: “Sikur të gjithë drutë në tokë të jenë lapsa dhe sikur detit ti shtohen edhe shtatë dete (e të jenë ngjyrë), nuk do të mbaronin fjalët e Allahut (do të shtereshin detet dhe do të mbaronin lapsat, por jo mrekullitë e Librit të Zotit) ” (Llukman: 27).

 

 

Kur’ani është një gurrë e pashterur urtësish dhe mrekullish. Qysh prej 14 shekujsh, sa më shumë që kalon koha, ashtu sikurse nga fundi i detit që nxirren margaritarë të fshehur të panumërt, po ashtu zbulohen e nxirren në dritë mrekullitë dhe misteret e tij, që s’kanë të mbaruar. Kështu do të vazhdojë derisa të ketë jetë mbi tokë.


__._,_.___

Your email settings: Individual Email|Traditional
Change settings via the Web (Yahoo! ID required)
Change settings via email: Switch delivery to Daily Digest | Switch to Fully Featured
Visit Your Group | Yahoo! Groups Terms of Use | Unsubscribe

__,_._,___

Gmane